Secondary Adv

Liberalizimi i tregut, bizneset e Kosovës kontratë ose shkëputje nga rrjeti, nga 16 gushti

Vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor, bizneset e mëdha në Kosovë janë të detyruara të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.

Vendimi i ZRRE-së dhe kriteret për bizneset

Vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2025. Sipas rregullave të miratuara, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit janë të detyruara të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.

 

Të gjitha bizneset që nuk kanë nënshkruar kontratë me një nga furnizuesit e licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) do të shkëputen nga rrjeti energjetik më 16 gusht 2025.

 

Vendimi gjyqësor dhe zbatimi

ZRRE-ja njoftoi se ka fituar ankesën në Gjykatën Komerciale – Dhoma e Shkallës së Dytë, e cila rrëzoi vendimin e shkallës së parë për pezullimin e liberalizimit të tregut. Kjo gjykatë konfirmoi se procesi është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe standardet evropiane.

 

ZRRE i bëri thirrje të gjithë konsumatorëve komercialë të lidhin kontratë furnizimi sa më shpejt, duke theksuar se pas datës 16 gusht, ata që nuk kanë kontratë do të ndërpriten nga rrjeti.

 

Reagimi i komunitetit të biznesit

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim, duke paralajmëruar pasoja negative për ekonominë e vendit.

 

OEK deklaroi se do të vazhdojë betejën ligjore dhe kërkoi nga ZRRE që të mos ndërmarrë veprime që dëmtojnë bizneset.

Ndërkohë, DhTIK paralajmëroi se ky vendim mund të sjellë:

 

-Rritje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike

-Rritje të çmimeve të produkteve

-Humbje të vendeve të punës

-Ulje të prodhimit vendor dhe rritje të importeve

 

DhTIK kërkoi pezullimin e menjëhershëm të vendimit dhe një proces transparent konsultimi me bizneset.

 

Furnizimi dhe operatorët e licencuar

Nga 1 qershori deri më 31 korrik, bizneset u furnizuan përkohësisht nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit. Në Kosovë ka mbi 1,300 biznese që përfshihen në këtë kategori.

 

Aktualisht, janë të licencuara 22 kompani për tregtim energjie, ndërsa 3 të tjera janë në proces licencimi.

 

-KESCO ka nënshkruar kontrata me mbi 250 biznese dhe pret dhjetëra kërkesa të tjera.

-KEK ka lidhur kontrata me 53 kompani. /Monitor(https://monitor.al/liberalizimi-i-tregut-bizneset-e-kosoves-kontrate-ose-shkeputje-nga-rrjeti-nga-16-gushti/)


Më të lexuarat